
A mjaftojnë 3 vjet për të vlerësuar punën e një institucioni dhe për të parashikuar se sa larg do të shkojë ai? A i ka përmbushur sot pritshmëritë e larta të shqiptarëve që sakrifikuan vite drejtësi në emër të reformimit të saj?
Sot shumica e institucioneve të pavarura që japin llogari pranë Kuvendit e bazojnë punën dhe performancën e tyre mbi një metodologji vlerësimi.
Kush mund ta bëjë sot për SPAK këtë vlerësim.
Publiku dhe Parlamenti marrin të mirëqënë faktet që raporton kreu i tij. Sot mungon një metodologji performance që zbatojnë të agjencitë si motra të SPAK në vendet e tjera, madje edhe në SHBA ku është marrë modeli.
Çdo prokuror duhet të ketë indikatorët e performancës: sa kohë i merr hetimi i një dosje, cili është rezultati i hetimeve dhe sa provohen akuzat e ngirutra prej tij në gjykatë? Në çfarë çështjesh është më i mirë një prokuror? Në ato të korrupsionit apo të krimit të organizuar? Kush është prokurori që performon më mirë apo më dobët në fushën e tij?
Të gjitha këto të dhëna mungojnë dhe në raportimet e prokurorisë së posaçme nuk ka rankim të çështjeve sipas emrit të prokurorit, që publiku të dijë se cili ka sukses në punën e tij.
Sot i gjithë diskutimi është te drejtuesi i ri i institucionit dhe jo puna konkrete e çdo prokurori.
Po përse është i rëndësishëm drejtuesi i kësaj prokurorie, a ka ai ndonjë rol në në hetimin e çështjeve?
Ngritja e strukturës së SPAK i kushton çdo vit buxhetit të shtetit 4.3 milion euro.
Pjesa më e madhe e këtyre fondeve, 70%, shkojnë për pagat e prokurorëve dhe oficerëve. Një prokuror i strukturës së posaçme paguhet afërsisht 5 milion lekë të vjetra, ndërsa oficerët e BKH e kanë rrogën 1.7 milion lekë të vjetra.
Pagat disa herë më të larta se pjesa e administratës të kësaj strukture, justifikohen nga puna dhe shërbimi prokurorë i bëjnë publikut. Konfiskimi i pasurive të paligjshme që ka në kompetenca njësia e posaçme mund të bëjë dallim jo vetëm në vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë në Shqipëri por dhe derdhjen e shumave të konsiderueshme në buxhetin e shtetit.
Për vitin 2021 pasuritë e konfiskuara arrijnë në 4 milion euro, ndërsa ato të sekuestruara 60 milion euro, por këtë shumë e dominojnë inceneratorët, të cilët edhe nëse nuk do të sekuestroheshin nga SPAK do t’i kalonin në pronësi shtetit, pasi pagesat e buxhetit ishin bërë dhe veprat do të merreshin në dorëzim.



