Një grua 58 vjeçe u arrestua nga policia pasi u zbulua se po tentonte të fuste një sasi kanabisi në dhomat e paraburgimit. Limoza Bahi Xhelali do të takohej me Mariglen Gashin, në paraburgim për akuzën e vjedhjes.

Gruaja e kishte fshehur sasinë prej 32,5 gramë kanabis në atletet që mbante veshur.

Njoftimi i policisë

Sot, më datë 23 Gusht 2024, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, gjatë një kontrolli me qëllim parandalimin dhe konstatimin e sendeve të ndaluara referuar dhe të dhënave nga inteligjenca operative punonjësit e IEVP-së dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, konstatuan dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis sativa, me peshë totale 32.45 gram.

Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit fizik të familjares Limoza Bahi Xhelali, e lindur më 16 Shtator 1958, e cila ishte duke u përgatitur për të takuar të paraburgosurin Mariglen Gashi, i arrestuar për vjedhje. Kontrolli u krye në pjesën e atleteve të zonjës Xhelali, ku u gjet lënda e dyshuar narkotike, e cila u sekuestrua menjëherë në cilësinë e provës materiale dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme kriminalistike.

Lidhur me këtë rast, është informuar menjëherë Prokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksion i Përgjithshëm Fier, i cili po ndjek veprimet e mëtejshme proceduriale.

Në vijim të hetimeve, u krye edhe një kontroll në banesën e shtetases Limoza Xhelali nga forcat e policisë Lushnje, ku nuk u gjetën sende të paligjshme.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është duke vazhduar me veprimet procedurale të nevojshme.

Shtetasja Limoza Xhelali u arrestua dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, në bazë të neneve 324/a dhe 283 të Kodit Penal.