Tre persona janë përfshirë në një konflikt fizik pas mesnatës në Tepelenë, pranë Kalasë së Ali Pashës, në ambientet e një bar-llotoje.
Sipas informacioneve paraprake, në sherr janë përfshirë tre persona të moshave 36, 44 dhe 45 vjeç. Dy prej tyre janë vëllezër, ndërsa i treti është kushëri i tyre.
Dyshohet se konflikti ka ndodhur nën ndikimin e alkoolit, ndërsa shkaqet mbeten ende të paqarta.
Përplasja ka degraduar në përdorimin e mjeteve të forta, si leva dhe sende metalike, duke shkaktuar lëndime te të tre personat.
Të përfshirët kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Tepelenës. Deri më tani nuk është bërë asnjë kallëzim në polici lidhur me ngjarjen, ndërsa pritet që rrethanat dhe shkaqet e konfliktit të sqarohen.



