
Vijojnë sërish protestat e fermerëve të Myzeqesë, për shkak të pamundësisë për të shitur produktet e tyre. Fermerët janë ngritur në protestë për të dytën herë radhazi, për shkak të uljes së çmimeve të produkteve të tyre Të pranishëm në protestë janë edhe forca të shumta policie për mbarëvajtjen e protestës.
Gjithashtu, fermerët kanë paralajmëruar se nëse problemi i tyre nuk do të zgjidhet, ata do të përshkallëzojnë protestën. Ndërkaq, fermerët kërkojnë mbështetje financiare nga qeveria duke subvencionuar për çdo njësi produkti të hedhur në treg kundrejt faturës tatimore dhe stimulim të eksportuesve.
Fermerët gjithashtu kërkojnë:
-Vlerësim dhe kompensim financiar me çmimin dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqësitë natyrore dhe stogun e prodhimit nga çrregullimet e forta të tregut
-Rregullim në paketën fiskale 2020 të shkallës së TVSH për sektorin e tregimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore blegtorale
-Që Ministria e Bujqësisë të garantojë shërbimin e specialistëve, analiza të tokës, garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore dhe produkteve të fermerëve me laborator të certifikuar
-Qeveria të angazhohet për rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyrës së tregtisë së produkteve bujqësore për të garantuar interesat e palëve në treg



