Gjykata greke në Kretë, ka lënë në masë sigurimi “Arrest në burg” babë e bir, shtetas shqiptarë, të akuzuar vrasjen e djalit të madh të shtëpisë. Gjithçka ndodhi pas një sherri për muzikën në kompjuter, duke degjeneruar më pas në përdorimin e thikës.
Babai 55 vjeç dhe djali i vogël 24 vjeç kanë qenë të tronditur pas ngjarjes së rëndë, ndërsa nëna e 26-vjeçarit që u ekzekutua, mes lotëve dhe dhimbjes rrëfeu ngjarjen e rëndë. “E pashë të shtrirë në rrugë dhe më thoshte: ‘mami, mos qaj, jam mirë’”, rrëfeu nëna e 26-vjeçarit shqiptar që ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të rënda që mori.
Sipas avokatit të 55-vjeçarit, babai nuk kishte qëllim për të vrarë fëmijën e tij dhe se e gjitha ndodhi gjatë përleshjes. Tashmë babë dhe bir janë të akuzuar për bashkëpunim në vrasje.
Sipas dëshmisë të dhënë në polici, pjesëtarët e familjes ishin grindur për shkak të zërit të lartë të muzikës që dilte nga ‘lap topi’. Sherri ka degjeneruar më pas në përplasje fizike dhe në fund, i riu 24 vjeçar kishte mbajtur vëllain e tij, ndërsa babai e qëlloi shtatë herë me thikë.



