“Reagimi” u kodua një operacion i policisë së Kurbinit gjatë të cilit u vu në pranga një person i cili lëvizte i dehur dhe i armatosur me kallashnikov, kërcënonte qytetarët, thyente xhamat e automjeteve dhe të një lokali.
Efektivët e policisë Kurbin, pas marrjes së informacionit se një person i armatosur lëvizte me armë zjarri automatike në dorë, kërcënonte qytetarë dhe dëmtonte prona në zonë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Reagimi”.
Në kuadër të këtij operacioni, u vu në pranga Adrian Gjoka, 28 vjeç, banues në Laç.
I riu në gjendje të dehur, lëvizte i armatosur, kërcënoi disa qytetarë, theu xhamat e tre automjeteve dhe të një lokali me qytën e kallashnikovit.
Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan një armë zjarri automatike dhe municion luftarak.



