Komisioni Qeveritar për të pagjeturit ka njoftuar sot se janë ndërprerë gërmimet për mbetje mortore në Kizhevak. Këto punime pritet që të rifillojnë në pranverë.
Ramë Manaj, kryetar i Komisionit qeveritar, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se për shkak të motit të keq, punimet janë ndërprenë.
Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka njoftuar se kërkimet zyrtare në këtë varrezë masive kanë nisur dy javë më herët dhe se terreni ka qenë mjaft i vështirë.
"Dje për shkak të motit janë detyruar që të ndërpresin punën, sepse javën e kaluar ka pasur shumë shi dhe pritet që shumë shpejtë të bie edhe borë. Deri më tash janë tërhequr ato pjesë kockore që kanë qenë në sipërfaqe pas gjetjes. Të njëjtat janë ekzaminuar në aspektin mjeko-ligjor, janë marrë mostrat për AND, dhe para se t’i qasemi punës në pranverë, do t’i kemi edhe rezultatet e identifikimit, me çka do ta dimë edhe cilit regjion i takojnë, sepse do të jenë të sakta”, shtoi ai.
Në Kizhevak të Rashkës në Serbi, javën e kaluar kanë vazhduar gërmimet për zhvarrosjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë.
Gërmimet në Kizhevak, i cili gjendet në rajonin e Rashkës, kanë nisur në vitin 2015. Por, mbetjet mortore janë identifikuar vetëm muajin e kaluar përmes imazheve fotografike nga ajri, të vitit 1999, të cilat i siguroi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përmes Departamentit Amerikan të Shtetit.



