
Duke folur për mediat nga Sarajeva ku ndodhet në konferencën e Partisë Popullore Evropiane, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se Shqipëria është në krizë dhe kërkoi krijimin e një qeverie kujdestare për garantimin e zgjedhjeve të lira.
Berisha deklaroi se Shqipëria po kalon një krizë të thellë institucionale dhe të shtetit ligjor, ndërsa protestat qytetare dhe rinore, sipas tij, janë shprehje e pakënaqësisë së gjerë publike dhe kërkesës për ndryshim politik.
Ai shtoi se protestuesit, kërkojnë për të gjitha motivet largimin e Edi Ramës dhe se ai po trajton protestën në një mënyrë përçmuese, kërcënuese dhe të padenjë.
Shtrova pikëpamjen se një qeveri kujdestare për zgjedhje të lira është e domosdoshme dhe u ndala pastaj në krizën që po kalon vendi. Krizë e cila ka në themel shkelmimin e shtetit ligjor në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Theksova se protestuesit, rinia dhe qytetarët shqiptarë kërkojnë për të gjitha motivet largimin, dorëheqjen e Edi Ramës dhe se ai po trajton protestën në një mënyrë përçmuese, kërcënuese dhe të padenjë.
Garantova se protesta është e pandalshme. Theksova se kjo nuk është një vepër e Partisë Demokratike, por Partia Demokratike e mbështet atë.
Ndaj dhe bëra thirrje udhëheqjes së PPE-së të bëjë gjithçka për një zgjidhje paqësore të këtij konflikti, për një qeveri kujdestare e cila do të çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.



