Kryeministri i Sudanit Abdullah Hamdok ka mbijetuar nga një atentat i mundshëm që kishte për qëllim kolonën e tij në kryeqytetin Khartoum.
Kështu bëri të ditur televizioni shtetëror , referuar një kabineti qeveritar, raporton Haaretz.
Kryeministri Hamdok tashmë është zhvendosur në një vend të sigurt, thotë televizioni shtetëror.
Sulmi ndaj tij ndodhi në kohën kur qeveria e Hamdok-ut po përballet me një krizë të rëndë ekonomike, e cila kishte nxitur protesta të vazhdueshme kundër ish-udhëheqësit. Protestat kanë vazhduar edhe pas rrëzimit të presidentit që kishte qëndruar për 30 vjet në pushtet.
Tre dëshmitarë thanë se sulmi ndodhi afër një ure, e cila e lidh pjesën veriore të qytetit me qendrën e tij. Afër vendit ku ndodhi sulmi është edhe zyra e kryeministrit.
“Unë e pashë momentin e shpërthimit dhe sulmit. Sulmi erdhi nga një ndërtesë e lartë”, tha njëri nga dëshmitarët.
Hamdok e udhëheq një qeveri të themeluar pas marrëveshjes për ndarjen e pushtetit mes grupeve civile dhe ushtrisë. Periudha kalimtare e pushtetit pritet të zgjasë deri në fund të vitit 2022.



