
Policia e Elbasanit ka arrestuar një 39-vjeçar nën akuzë për disa vjedhje të ndodhura gjatë ditëve të fundit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ai akuzohet se i ka vjedhur disa qytetarëve sendet personale, si celular dhe portofola.
Në pranga është vënë shtetasi F. Z., në kuadër të operacionit “Përsëritësi”, për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të ndodhura në qarkun e Elbasanit. Ky shtetas, mësohet se ishte kthyer në shqetësim për qytetarët.
“Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e rasteve të ndodhura më parë, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan organizuan dhe finalizuan operacion policor të koduar ‘Përsëritësi’, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: F. Z., 39 vjeç, banues në Elbasan”, njoftoi policia. Arrestimi i tij u bë pasi ditën e djeshme, në lagjen “5 Maji”, Elbasan, i ka vjedhur portofolin shtetases A. D.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është autor dhe i 4 vjedhjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Elbasanit, konkretisht: Më datë 01.02.2021 dyshohet se i ka vjedhur një aparatin celular shtetases V. B.; Më datë 29.01.2021 dyshohet se i ka vjedhur portofolin shtetases L. D.; Më datë 28.01.2021 dyshohet se i ka vjedhur portofolin shtetases M. T.; Më datë 18.12.2020 dyshohet se i ka vjedhur çantën shtetases B. Ll.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohen se janë kryer ky shtetas. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.



