Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, vizituan punonjësin e FNSH-së të plagosur në krye të detyrës gjatë një operacioni policor, një ditë më parë.
Aktualisht, efektivi i plagosur të enjten gjatë përpjekjes për të arrestuar autorin e një vrasjeje të dyfishtë në Lezhë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ai është i shtruar në spitalin e traumës, ku po merr mjekim për plagët me armë zjarri në këmbë.
Punonjësi i FNSH-së, identitetin e të cilit policia nuk e bën publik, u plagos në këmbë gjatë një operacioni për kapjen e Fatmir Kolecajt ditën e enjte, i cili disa ditë më parë vrau vëlla e motër në Rrëshen.
Policia ishte në aksion të vazhdueshëm për ndalimin e të kërkuarit për rreth 45 orë, e si pasojë e rrethimit në një banesë, ai vrau veten.



