Dy persona të dyshuar për vjedhjen e katër motorëve janë vënë në prangat e policisë së Sarandës.
Të arrestuarit janë K. H., 20 vjeç, banues në Sarandë dhe O. J., 23 vjeç, banues në Delvinë.
Gjithashtu është shpallur në kërkim E. V., 19 vjeç, banues në fshatin Bajkaj, Delvinë.
Nga hetimet dyshohet se tre të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur 4 motomjete në qytetin e Sarandës, të cilët më pas i kanë transportuar në Delvinë, për t’i modifikuar dhe për t’i shitur.
Në vijim të veprimeve, u sekuestruan dy motomjete të vjedhura dhe një automjet që dyshohet se shërbente për realizimin e vjedhjeve.
Aktualisht vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga këta shtetas.



