
Një burrë në Lushnjë ka bërë denoncim në polici duke thënë se një grua kishte shkuar në banesën e tij, kishte mashtruar të shoqen se do i parashikonte fatin dhe i ka marrë një shumë të konsiderueshme parash.
Në Komisariatin e Policisë Lushnjë ka bërë kallëzim shtetasi A. I., 60 vjeç, banues në fshatin Zhamë, se në banesën e tyre, një shtetase ka mashtruar bashkëshorten e tij dhe i marrë një shumë parash, me pretendimin se do t’i parashikonte fatin. Po punohet për identifikimin dhe për kapjen e kësaj shtetaseje.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
MCN raportoi më herët se në fshatin Zhamë të Lushnjës janë grabitur në një banesë rreth 13 milionë lekë të vjetra në mes të ditës. Autorja është një femër dhe dyshohet se i ka hedhur substancë për ta vënë në gjumë pronaren e shtëpisë dhe me pas ka kryer vjedhjen.
Jalldize Ibraliu, 65 vjeçe, është invalide dhe tregon se autorja i ka hyrë në oborrin e shtëpisë duke iu paraqitur si qytetare nga Tetova dhe se kërkonte ujë për të pirë. Më pas ajo nuk mban mend asgjë.
Në kohën e vjedhjes ka qenë vetëm gruaja invalide në shtëpi, ndërsa burri i saj në punë. Nga ora 12.00 kur ndodhi ngjarja deri në orën 20.00 të mbrëmjes 65- vjeçarja ka qenë pa ndjenja.
Arif Ibraliu tregon se kur ka mbërritur në shtëpi ka parë që kutia ku ndodheshin paratë ishte bosh.
Policia e Lushnjës ka nisur hetimet për rastin. Madje ka sekuestruar edhe pamjet e marra nga një shtëpi private, ku duket makina ku ka ndaluar makina e gruas që kreu vjedhjen dhe ajo teksa i drejtohet banesës. Deri tani autorja nuk është gjendur.



