
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes disa personave në qendër të qytetit të Burrelit, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Mat, disa shtetas të përfshirë në këtë konflikt.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ka nisur procedimi penal për shtetasit S. R., 49 vjeç dhe E. R., 21 vjeç, babë e bir, si dhe për shtetasin A. M., 21 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 7 maj, rreth orës 22:00, në qytetin e Burrelit, kanë goditur me grushte dhe me mjete të tjera, për shkak të detyrës, shtetasin H. S., me detyrë përgjegjës i Zyrës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Mat, i cili ka pësuar dëmtime të lehta fizike.
Si pasojë e këtij konflikti, ka mbetur i dëmtuar dhe shtetasi E. S., 36 vjeç, banues në Burrel, me detyrë kryetar i njësisë administrative Rukaj, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin.
Nga hetimet e kryera dhe nga deklarimet e marra, ka rezultuar se shtetasi S. R., i ka kërkuar më parë, shtetasit H. S., që t’i regjistronte në emër të tij, një pronë e cila ishte në proces gjyqësor. Gjithashtu, është shoqëruar në Komisariat dhe është marrë në pyetje mbi rrethanat e këtij konflikti, shtetasi A. D., i cili pas dhënies së deklarimit, është lënë i lirë.
Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.



