
Përplasje dhe tensione janë regjistruar këtë të hënë në kantierin e punimeve të Aeroportit të Vlorës, mes dy firmave që operojnë në projekt.
Siç raporton korrespondentja e “MCN Live” nga Vlora, Ariola Hasanaj, konflikti ka ndodhur mes kompanisë “2A Group” të Valon Ademit dhe kompanisë “Mabco” të biznesmenit Behgjet Pacolli.
Mëngjesi ka nisur me tensione për shkak të përplasjes mes punonjësve të dy kompanive. Sipas burimeve, “2A Group” nuk ka lejuar hyrjen e punonjësve të kompanisë “Mabco” në kantier. Nga ana tjetër, punonjësit e kësaj të fundit kanë bllokuar hyrjen e aeroportit, duke penguar lëvizjen e mjeteve.
Ismet Pacolli, përfaqësues i kompanisë “Mabco”, deklaroi se dy kompanitë ndodhen në proces gjyqësor dhe se është drejtësia ajo që do të vendosë për vijimin e çështjes.
Sipas tij, punonjësit e “Mabco” dhe nënkontraktorët e saj janë telefonuar mbrëmjen e kaluar dhe janë njoftuar që të mos paraqiteshin në punë gjatë ditës së sotme. Megjithatë, në mungesë të një komunikimi zyrtar, ata janë paraqitur në kantier, por nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e aeroportit.
Bëhet fjalë për punonjësit që operojnë në terminal, në ambientet e jashtme dhe në shërbimin zjarrfikës. Afati për përfundimin e punimeve nga këto kompani ishte fundi i muajit maj, por më pas është shtyrë edhe me tre muaj të tjerë, duke e çuar afatin përfundimtar në muajin gusht.
Sipas Ismet Pacollit, nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar lidhur me situatën, e cila prek drejtpërdrejt punonjësit dhe vijimin e punimeve.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të Policisë së Shtetit dhe efektivë të Policisë së Vlorës, me qëllim qetësimin e situatës dhe shmangien e përshkallëzimit të konfliktit.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa pritet një reagim zyrtar mbi shkaqet dhe pasojat e përplasjes mes palëve.



