
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në kuadër të hetimeve të operacionit policor të koduar “Koordinata”, kanë goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve në zonën e quajtur "Fushat e fshatit Povelçë", Policia ka zbuluar 1000 bimë të dyshuara narkotike kanabis të kultivuara në terren.
Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin Eduart Gjikoli, 48 vjeç, banues në Pojan, i cili po kujdesej për bimët narkotike. Ai u arrestua për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Në lidhje me këtë rast, është proceduar penalisht edhe babai i shtetasit Eduart Gjikoli, shtetasi 77 vjeç, i dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet kriminal.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit 48-vjeçar, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, dy krehëra dhe 14 fishekë luftarak.
Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.
Puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale vijon, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet.



