Një operacion i koduar “Akciza 3” ka çuar në pranga dy persona në aksin rrugor Kakavijë-Gjirokastër, pasi u kapën duke transportuar me autobus një sasi të madhe mallrash të kontrabanduara nga Greqia dhe para të padeklaruara.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), bllokoi mjetin dhe arrestoi në flagrancë dy shoferët, Olcian Lami, 43 vjeç dhe Markeljan Dida, 43 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Ata e ngisnin autobusin me radhë dhe i kishin fshehur mallrat në vende të përshtatura. Gjatë kontrollit të imtësishëm, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 22,695 euro të padeklaruara në kufi, 100 steka me cigare (mallra me akcizë), kuti me ushqime, medikamente mjekësore dhe 13 thasë me veshje të markave të ndryshme.
Të dy shoferët tashmë përballen me një sërë veprash penale që lidhen me kontrabandën e mallrave të ndaluara dhe atyre me akcizë, mosdeklarim të të hollave në kufi, fshehje të të ardhurave, si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të kontrabandës.



