
Prokuroria e Posaçme SPAK ka kërkuar dënimin me 1 vit e gjashtë muaj burg të komisioneres së vetingut Etleda Çiftja për akuzat e “falsifikimit” dhe “deklarimit të rremë të pasurisë”.
Kjo e fundit ka marrë pafajësi në të dyja shkallët e gjyqësorit, për akuzën e falsifikimit të dokumenteve për përdorim dhe fshehjes së pasurisë. Kërkesa është shortuar dhe relatori i saj është caktuar gjyqtari Sandër Simoni.
Çiftja ka fituar pafajësinë në GJKKO dhe në Apelin e Posaçëm, por SPAK ka kërkuar rekurs të vendimit të Apelit në Gjykatën e Lartë.
SPAK kërkon në GJKKO dënimin e Çiftes me 1 vit e gjashtë muaj për të dyja veprat penale dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar, uljen e një të tretës së dënimit, me masë përfundimtare 1 vit burgim, duke e konvertuar këtë dënim në vendosjen e saj në shërbim prove për dy vjet.
Çiftja akuzohet se falsifikoi dy kontrata, duke mashtruar një bankë dhe ILDKPI me deklarata të rreme pasurie.
Gjithashtu mbi të rëndon akuza se ka bërë deklarim të rremë për blerjen e apartamentit të banimit, të dy parcelave tokë arë me sipërfaqe 1 mijë e 450 m2 dhe me sipërfaqe 3 mijë e 440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie.
Megjithë hetimet, Etleda Çiftja vijon detyrën në KPK, duke dhënë vendime për gjyqtarë dhe prokurorë që dalin në vetting.



