
Ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i akuzuar për krime lufte, pritet të dalë sot rreth orës 09:30 para Gjykatës Speciale në Hagë.
Në seancën e parë të gjykimit më 15 shtator, u bë e ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021.
Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për “krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash”.Gjatë kësaj seance, Mustafa u deklarua sërish se është i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.
Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.
Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.



