Një konflikt i çastit, i dyshuar se ka nisur për motive banale, është përshkallëzuar në përdorimin e thikës mbrëmjen e kësaj të hëne në Fushë-Krujë.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Grumbullimi", ku dy të rinj, banorë të së njëjtës zonë, janë përfshirë fillimisht në një debat verbal, i cili më pas ka degjeneruar në përplasje fizike.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë konfliktit njëri prej tyre ka nxjerrë një mjet prerës dhe ka goditur me thikë 22-vjeçarin me inicialet M.K., duke i shkaktuar plagë të rënda.
I riu është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor. Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të identifikuar përgjegjësit.



