
Një i ri është vënë në prangat e policisë së Tiranës me 2800 euro të dyshuara false.
Uniformat blu, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas që posedonte kartëmonedha false, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “False”.
Në sheshin “Nënë Tereza”, shërbimet e policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin A. Q., dhe pasagjerë shtetasit D. M., dhe S. Q.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. Q., i janë gjetur kartëmonedha euro të prerjeve 100 dhe 200, të dyshuara të falsifikuara, në total 2800 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi S. Q., 20 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Mashtrimi”, mbetur në tentativë.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Q., 23 vjeç, vëllai i 20-vjeçarit dhe D. M., 23 vjeç, të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.



