
Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Distribute”, ka vënë në pranga një të ri i cili shpërndante lëndë narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kanabis sativa, në zona të ndryshme të Tiranës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Distribute”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i K. D., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në rrugën “Athina”, në Kamzë, uniformat blu lokalizuan dhe arrestuar në flagrancë shtetasin K. D., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 23-vjeçari, pasi siguronte lëndën narkotike, e ndante atë në porcione të vogla, të cilat i shiste më pas, në zona të ndryshme të Tiranës.
Aktualisht vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga i ndaluari, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



