Banorët e zonës së Rrjollit kanë bllokuar rrugën Shëngjin-Velipojë në shenjë proteste kundër punimeve që pritet të nisin për ndërtimin e një resorti në zonë.
Sipas informacioneve, banorët kanë ndaluar automjetet që po kryenin gërmime në territorin ku është parashikuar ndërtimi i resortit.
Në protestë janë përfshirë burra dhe gra, të cilët kanë refuzuar të largohen nga zona.
Banorët kërkojnë që autoritetet dhe përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese t’u paraqesin lejen e zbardhur të ndërtimit, duke theksuar se, sipas tyre, kjo leje nuk u është bërë e ditur më parë.
Për shkak të rezistencës së protestuesve dhe bllokimit të rrugës, Policia ka ndërhyrë duke shoqëruar katër banorë për veprime të mëtejshme procedurale.



