
Në katër komunat e veriut të Kosovës janë shfaqur sot postera me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mesazhin “Po vijmë për Krishtlindje”.
Policia e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, pas konsultimit me prokurorin, është vendosur që rasti të mos hetohet, pasi “nuk ka rast”.
Në veri shpeshherë ndodh që të vendosen mbishkrime në gjuhën serbe, ku disa prej tyre kanë përmbajtje një gjuhë të urrejtjes.

Krishtlindja ortodokse festohet më 7 janar. Shfaqja në veri e postareve të tillë apo grafiteve me mesazhe që bëjnë thirrje për kthimin e Ushtrisë Serbe në Kosovë ose thirrje për rezistencë ndaj Qeverisë së Kosovës, nuk është gjë e re.
Policia deri më tani i ka hetuar këto raste, por publiku nuk është njoftuar nëse dihet kush qëndron pas tyre.
Në fillim të qershorit u shfaq një pamflet me portretin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me mesazhin: “Komandant suprem, po të presim”.
Më herët, persona të panjohur lanë fletëpalosje në ndërtesat e Mitrovicës së Veriut me thirrje për rezistencë, të cilave u paraprinë edhe mbishkrimet grafiti si, “Kur ushtria të kthehet në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.



