Goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike në Tiranë, duke vënë në pranga një person dhe blerësin e tij, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë operacionit të koduar “Check point”, në rrugën “Anton Lufi”, shërbimet e policisë kapën në flagrancë shtetasin A. A., duke i shitur një sasi lëndë të dyshuar narkotike kokaine, shtetasit S. Xh.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi S. Xh., kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. A., dhe kontrollit në banesën e tij, efektivët e policisë gjetën sasi të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, një shumë parash të dyshuar të përfituar nga shitja e dozave, një peshore elektronike dhe sende të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestuan shtetasit A. A., 29 vjeç dhe S. Xh., 29 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në ngarkim të të ndaluarve materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë për ndjekje të mëtejshme.



