Finalizohet në Durrës operacioni i koduar “Hallkat”, i zhvilluar kundër trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen e tyre te grupe kriminale në qytete të ndryshme të vendit.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 3 pistoleta, 34 fishekë luftarakë, një automjet dhe një armë e ftohtë.
Në pranga ka rënë një 34-vjeçar, banues në Kukës, i cili dyshohet se transportonte armët e zjarrit me automjet. Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Në pranga është vënë edhe një 39-vjeçare, banuese në Prizren, e cila udhëtonte si pasagjere në automjet. Ajo akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Sipas Policisë, operacioni u finalizua pas një hetimi të kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin dy personat lëviznin në Maminas, u gjetën 3 pistoleta dhe 34 fishekë, të cilat dyshohet se ishin trafikuar nga Kosova.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e 34-vjeçarit, policia gjeti edhe një armë të ftohtë, një dorezë hekuri.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



