Një person është shpëtuar nga Policia e Sarandës këtë të hënë, pasi ka rrezikuat të mbytej në det. Sipas uniformave blu, mjeti lundrues që ai drejtonte, i është përmbysur në mes të detit.
“Paraditen e sotme, një shtetas ka telefonuar në sallën operative të Komisariatit të Policisë Sarandë, për të kërkuar ndihmë pasi rrezikonte të mbytej sepse mjeti lundrues gomone që drejtonte, ishte përmbysur në plazhin e Kasolles.
Menjëherë pas telefonatës, shërbimet e Policisë Kufitare janë nisur me mjet lundrues në drejtim të kësaj adrese dhe pas disa minutash kërkime kanë lokalizuar shtetasin që po kërkonte ndihmë dhe gomonen që ishte përmbysur”, njofton policia.
Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë marrë këtë shtetas, në mjetin e tyre lundrues, dhe i kanë dhënë ndihmën e parë. Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare kanë nxjerrë në breg, mjetin e tij lundrues që ishte përmbysur në mes të detit. Drejtuesi i mjetit lundrues ndodhet jashtë rrezikut për jetën.



