Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Vladimir Kola dhe katër të pandehur të tjerë të dyshuar për vrasjen e Briken Sanaj te “Kodra e Diellit” në Tiranë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve” shtetasin Vladimir Kola për vrasjen e shtetasit Briken Sanaj në kompleksin “Kodra e Diellit” më 30 tetor 2022.
Po kështu, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq dhe katër shtetasit e tjerë, Gj.K., K.A., E.H., dhe Z.K., për veprën penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”.
Nga hetimet e procedimit penal nr.7911, 2024 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi se vëllai i viktimës në vitin 2012 është konfliktuar me vëllezërit e autorit, pasi i kanë ngacmuar të fejuarën.
Në përfundim të hetimeve mbi ngjarjen e tetorit 2022 ku shtetasi Briken Sanaj u qëllua me armë zjarri, këqyrjes së kamerave, vendit të ngjarjes dhe administrimit të akt-ekspertimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, arriti në konkluzionin se i pandehuri Vladimir Kola, ka udhëtuar nga Barcelona në drejtim të Aeroportit të Podgoricës dhe ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme pa u regjistruar në pikën e kontrollit.
Pas kësaj ai ka blerë një automjet duke përdorur targat e një mjeti tjetër, i cili pas vrasjes së shtetasit Briken Sanaj është gjetur i djegur në fshatin Domje.
Brenda tij është gjetur arma e krimit, ndërsa autori ka kaluar sërish në Mal të Zi në mënyrë të paligjshme.
Sa më sipër, prokuroria kërkon dërgimin në gjyq për të pestë të pandehurit.



