
Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e përmirësuar krahasuar me një ditë më parë, me rënie të niveleve të ujit në zonat e prekura nga përmbytjet.
Sipas informacionit të administruar nga Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor Shkodër, në nivel qarku janë vlerësuar rreth 900 hektarë tokë bujqësore nën ujë, konkretisht në Bashkinë Shkodër dhe Bashkinë Vau Dejës.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, në fshatin Vukpalaj, vijojnë të jenë të rrethuara nga uji rreth 20 banesa, por niveli i ujit ka rënë krahasuar me ditët e mëparshme. Nuk raportohet prani uji në tokat bujqësore, ndërsa të gjitha livadhet nga Vija e Vrakës (Njësia Administrative Gruemirë) deri në fshatin Gashaj (Njësia Administrative Kastrat) mbeten të përmbytura nga prurjet e Liqenit të Shkodrës.
Në zonën e Obotit është konstatuar gjithashtu rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet ende prezencë uji rreth 100 cm, nga 110 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar një ulje prej rreth 10 cm. Ky aks vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet.
Në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.
Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat-Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.
Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji (ha):
Dajç: 80 ha
Velipojë: 120 ha
Ana e Malit: 550 ha
Bërdicë: 50 ha
Totali: 800 ha
Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse.



