
Pas marshit madhështor të zhvilluar dje në sheshet e Prishtinës, një protestë me synim drejtësinë, do të zhvillohet sot në Hagë.
në Hagë, në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale, shqiptarë të diasporës do të mblidhen në një protestë paqësore për të treguar mbështetjen e tyre për të akuzuarit si dhe luftën e UÇK-së.
Shqiptarë të shumtë nga vende të ndryshme të Evropës kanë marrë rrugë për në Hagë, që t’u dalin në përkrahje ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen nga Dhomat e Specializuara.
Dhjetëra autobusë me shqiptarë kanë shkuar në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndaj të cilëve sot do të fillojë gjykimi.
Autobusët kanë ardhur nga Gjermania, Austria, Zvicra e Belgjika dhe protesta pritet të nisë në orën 10:00.
Marshi i sotëm dëshmon sërish, përkrahjen e madhe që shqiptarët po u japin ish-krerëve të UÇK-së si dhe kërkimit të drejtësisë në kuadër të këtij procesi.
Kujtojmë që sot fillon edhe procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi si dhe ish-deputetit të VV-së, Rexhep Selimi.
Të njëjtit vazhdojnë të mbahen në Hagë, nga një proces gjyqësor nën dyshime për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.



