
Detaje të reja janë zbardhur nga konflikti i përgjakshëm i regjistruar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Korçës, në afërsi të Postës Qendrore.
Siç raporton korrespondentja “MCN Live”, Elsa Xhindole, si autori i dyshuar ashtu edhe personi i dëmtuar ushtronin në atë zonë aktivitetin e këmbimit të valutave pa licencën përkatëse.
Ngjarja fillimisht nisi si një konflikt i çastit mes dy personave. Gjatë sherrit, shtetasi Niko Hajdërlli, 67 vjeç, ka nxjerrë një mjet prerës (thikë) duke goditur shtetasin Arben Furxhi, 59 vjeç.
Si pasojë e sulmit, 59-vjeçari Furxhi ka marrë një plagë në zonën e qafës.
Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Korçës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ku bluzat e bardha konfirmojnë se fatmirësisht plaga ka qenë sipërfaqësore dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka reaguar me shpejtësi në terren. Autori i dyshuar, Niko Hajdërlli, është lokalizuar dhe arrestuar nga uniformat e blu rreth 3 orë pas ngjarjes.
Sakaq, grupi hetimor ka sekuestruar provat materiale dhe po vijon veprimet procedurale.
Përveç akuzës për plagosje, ndaj dy shtetasve po verifikohet edhe ushtrimi i paligjshëm i aktivitetit financiar të këmbimit monetar në ambient publik.



