
Rreth 1 000 automjete u bllokuan në një autostradë për shkak të një reshje masive dëbore në prefekturën Nigata në veri të Tokios, pavarësisht se punonjësit e autostradës kaluan natën duke pastruar dëborën, raportoi BBC.
Autoritetet u kanë shpërndarë ushqim, karburant dhe batanije shoferëve në autostradën Kanetsu, e cila lidh kryeqytetin Tokio me Niigata, në veri.
Bora, e cila filloi të mërkurën në mbrëmje, ka shkaktuar bllokime të shumta trafiku përgjatë rrugës.
Ajo ka lënë gjithashtu më shumë se 10,000 shtëpi në veri dhe perëndim pa energji elektrike.
Një raport i Kyodo News, duke cituar policinë dhe operatorin e autostradës East Nippon Expressway Co, tha se bllokimi i trafikut ishte shtrirë deri në 16.5 km (10 milje) përgjatë rrugës në një pikë.
Zyrtarët kanë përdorur një kombinim të makinerive të rënda dhe punës fizike për të gërmuar automjetet një nga një, por rreth 1000 makina ishin ende të bllokuara në rrugë që nga mesdita e së Premtes.
"Ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën për të shpëtuar shoferët dhe pasagjerët, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë operacionin gjatë gjithë natës," i tha AFP të enjten në mbrëmje një zyrtar i menaxhimit të katastrofës Niigata.
Agjencia Meteorologjike Japoneze parashikoi më shumë reshje dëbore në Japoninë Veriore dhe zonat bregdetare të Detit të Japonisë më vonë gjatë ditës, duke paralajmëruar ortekë dhe ndërprerje të mëtejshme të trafikut.



