Në lidhje me aksidentin rrugor të ndodhur te Ura e Dajlanit, me pasojë vdekjen e shtetases V. G., 18 vjeçe, Policia e Shtetit informon se shërbimet e Policisë Rrugore kanë kryer menjëherë veprimet hetimore të nevojshme për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të këtyre veprimeve, është bërë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit ku udhëtonte viktima, shtetasi A. Xh., 26 vjeç, për veprat penale: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Nga hetimet paraprake rezulton se 26-vjeçari, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin e mjetit, i cili është përplasur me barrierat anësore të urës dhe më pas ka rënë nga ajo.
Drejtuesi i automjetit vijon të jetë në kujdesin e mjekëve dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, dy këmbësorët e dëmtuar si pasojë e aksidentit kanë marrë asistencën mjekësore të nevojshme dhe janë larguar drejt banesave të tyre.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.



