
Dy persona janë arrestuar nga policia në vendin e quajtur “Rotondo e Kolonjës” pasi janë kapur në flagrancë duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm me destinacion vendet e Bashkimit Europian.
Burime policore bëjnë me dije se pas informacioneve të marra në rrugë policore se një automjet furgon tip "Benz" po transportonte klandestinë drejt Tiranës, finalizuan operacionin policor të koduar "Taksisti", në përfundim të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit B. K., 53 vjeç, banues në Durrës dhe R. J., 53 vjeç, banues në Durrës.
Këta persona janë kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë Rrugore, në vendin e quajtur "Rotondo e Kolonjës", duke transportuar me automjetin tip "Benz", 5 emigrantë të paligjshëm (sirianë), të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" kryer në bashkëpunim.



