Zjarret në Lezhë/ Simoni: Flakët përfshinë Barbullojën dhe malin e Manatisë, ndërhyrje nga toka dhe ajri

Zjarret në Lezhë/ Simoni: Flakët përfshinë Barbullojën dhe malin e Manatisë, ndërhyrje nga toka dhe ajri

Lezha u përball me një situatë të vështirë nga zjarret gjatë mbrëmjes së të enjtes, me disa vatra që u aktivizuan në zona të ndryshme.

 

Sic bëri të ditur për “MCN live” korrespodenti Juli Simoni, era e fortë favorizoi përhapjen e flakëve, duke e bërë ndërhyrjen e zjarrfikësve më të vështirë dhe duke rrezikuar edhe banesat pranë zonave të përfshira nga zjarri.

 

Situata më problematike sipas tij, u shënua në Barbullojë, ku flakët përfshinë shkurre dhe ferra në një sipërfaqe të konsiderueshme. 

 

Për shkak të erës, zjarri në Barbullojë, u përhap me shpejtësi në drejtim të banesave, duke krijuar panik te banorët e zonës.

 

Për shuarjen e flakëve u angazhuan zjarrfikësit e Lezhës, ndërsa në ndihmë mbërritën edhe forca nga bashkitë fqinje. Ekipet punuan për disa orë në terren, duke ndërhyrë në disa pika për të ndaluar avancimin e flakëve drejt banesave.

 

Pas një operacioni të gjatë, zjarri në Barbullojë u vu nën kontroll, ndërsa ndërhyrja e forcave zjarrfikëse bëri të mundur shmangien e përhapjes së flakëve në zonën e banuar.

 

Por ndërsa situata në Barbullojë po vihej nën kontroll, rreth orës 22:00 një tjetër vatër zjarri u shfaq në malin e Manatisë, pranë aksit të vjetër Lezhë-Milot.

 

Flakët përfshinë masivin pyjor dhe, të favorizuara sërish nga era e fortë, nisën të përhapen në drejtim të zonave të banuara. 

 

Për shkak të terrenit dhe intensitetit të zjarrit, ndërhyrja gjatë natës ishte e vështirë.

 

Në orët e para të mëngjesit, operacioni për shuarjen e flakëve vijoi edhe nga ajri, ndërsa në terren u angazhuan forcat zjarrfikëse për të izoluar vatrat dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

 

Dyshohet se shkak i zjarreve është bërë pakujdesia gjatë djegies së mbetjeve të tokave bujqësore, ndersa autoritetet vijojnë monitorimin e zonave të prekura për të shmangur riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

 

Policia ka nisur hetimet në këtë rast, pasi dyshohet se zjarri është ndezur nga banorët për interesat e tyre. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy