Eksperti i sigurisë, Faik Basha, operacionin e policisë së Durrësit me 15 të arrestuar dhe 3 të shpallur në kërkim për armë dhe drogë, e sheh si me rëndësi të madhe për shkak se është i përfshirë dhe titullari i një institucioni arsimor, drejtori i shkollës artistike Durrës.
Duke folur për MCN Live, Basha deklaroi se të kapësh në flagrancë dhe të gjesh prova se si një drejtues shkolle dhe shumë anëtarë të tjerë bashkëpunonin me njeri tjetrin dhe mos ta cilësosh si bandë, me thellimin e hetimeve duhet parë që të bëhet dhe kjo pjesë.

Është shumë e rëndë që titullari i një institucioni arsimor, është drejtues apo shpërndarës i lëndëve narkotike, ku dhe institucioni ku ai bën pjesë, të ketë ushtruar dhe aktivitetin kriminal. Ka degraduar emërimi i titullarit, në institucione vihen vetëm njerëz partiakë, patronazhistë dhe persona që merren me aktivitete kriminale.
Shkollat e mesme kanë qenë target i grupeve për të shpërndarë lëndët narkotike, pasi kjo kategori moshe përdor më shumë lëndët narkotike, kryesisht kanabisi.
Kemi oficer sigurie, rojën e shkollës, titullarin që duhet të japin këtë informacion.
Nëse nuk ka ardhur raportime nga ky zinxhir, lindin dyshime se nuk është rast i izoluar dhe se mund të jenë të përfshirë dhe oficerë të sigurisë që nuk kanë raportuar këtë fenomen.
Besoj se kemi arritur maksimumin e pasigurisë në vend, përfshirja e ligjvënësve, gjykatës, prokurorisë dhe shumë institucioneve ligjzbatuese në aktivitete kriminale, e cenon rëndë sigurinë.
Kur titullari bëhet pjesë e këtyre grupeve, ne kemi arritur maksimumin e mundshëm.
Këto institucione i kanë marrë disa njerëz që janë kthyer në shërbëtorë të grupeve kriminale, apo politikanë lokalë apo qendrorë.
Këta persona janë njerëzit më servilë që mund të kenë institucionet. Se nuk ka si të shpjegohet që titullari i një institucioni shkon dhe i helmon nxënësit me lëndë narkotike.
Shqetësim i madh është se i gjithë vendi është lënë pa kontroll.
Sa i takon përdorimit të metodës nga policia ku grupi është identifikuar dhe future në kurth përmes blerjeve të simuluara, ku persona të infiltruar të policisë janë hequr si klientë, Basha e sheh si metodë efikase.
Nga ana tjetër, ai shtoi se në vijim të hetimeve do të dalin edhe persona të lidhur me sigurinë nga policia lokale, të cilët jepnin garancinë për të ushtruar këtë aktivitet në mënyrë që gjithë aktiviteti të ushtrohej lirshëm.



