
Një 33-vjeçare shqiptare është gjetur e vdekur mesditën e djeshme në një hotel në Bruksel, e identifikuar si Xhuljeta Lala nga Divjaka. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, kur Xhuljeta ka qenë duke punuar si çdo ditë në një hotel në Bruksel ku merrej me pastrimin e tij, kur një person i ka shkuar nga pas dhe e ka goditur me një bombol që shërbente për fikjen e zjarrit.
Familjarët e vajzës janë shprehur se kjo goditje i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa ka qenë policia ajo që ka njoftuar motrat dhe vëllanë e Xhuljetës për ngjarjen e ndodhur. Pas ngjarjes mësohet se policia ka arrestuar autorin dhe e ka klasifikuar si njeri me probleme të shëndetit mendor.
Daja i viktimës, Trifon Caponi ka zbuluar se si e mësuan lajmin e hidhur duke thënë: “E pamë direkt nga Facebook lajmin, e morën vesh dynjaja pastaj ne se unë s’para shoh mirë. Ishte njeri punëtor, i thjeshtë. Iku si njeri i zakonshëm për punë, me të drejtat e veta dhe të shtetit. Nga ora 11:30 duke pastruar në hotel, del një person në enigmë që e godet nga pas me këto bombolat e zjarrit.
Kolegia e saj, e cila ka qenë me fytyrë e ka parë dhe është larguar direkt. Kjo ka qenë me kurriz, ndaj e ka goditur direkt. Morëm vesh se e kanë marrë dhe e kanë çuar në spital, sot nuk e di çfarë kanë bërë tek morgu e të gjithë të tjerat”.
Xhuljeta Lala jetonte me vëllanë dhe 3 motrat në Belgjikë prej rreth 10 vitesh. Ata u larguan për një jetë më të mirë pas vrasjes së 2 prindërve nga një person nga Divjaka rreth 19 vite më parë.



