Policia ka ndaluar veprimtarinë e kundërligjshme të një subjekti që nxirrte inerte nga lumi Mat. Një 52-vjeçar u kap në flagrancë gjatë orëve të natës teksa gërryente me eskavator në shtratin e lumit. “Blutë” vijojnë punën për kapjen e pronarit të këtij subjekti ekonomik. Një tjetër rast u godit në Kurbin, ku arrestua në flagrancë A. Z., 52 vjeç, si dhe u shpall në kërkim pronari. Në njoftim thuhet: “Si rezultat i kontrolleve të pandërprera nga shërbimet e Policisë, konstatohet dhe goditet veprimtaria e kundërligjshme e një tjetër subjekti ekonomik që nxirrte inerte nga lumi Mat. U kap në flagrancë gjatë natës, teksa gërryente me ekskavator, shtratin e lumit Mat, arrestohet 52-vjeçari. Policia vijon punën për kapjen e pronarit të këtij subjekti ekonomik. Në bashkëpunim me IMT Lezhë sekuestrohen 1 ekskavator dhe një sasi inertesh të përfituara në kundërshtim me ligjin. Në vijim të kontrolleve të pandërprera të mbështetura edhe nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, goditën një tjetër rast të gërryerjes së shtratit të lumit, me qëllim nxjerrjen e kundërligjshme të inerteve. Për këtë rast, u kap në flagrancë teksa gërryente me ekskavator, dhe u vu në pranga shtetasi A. Z., 52 vjeç, banues në Kurbin. Gjithashtu, u shpall në kërkim pronari i subjektit që kryente këtë veprimtari të kundërligjshme, shtetasi F. V., 58 vjeç, banues në Tiranë. Në bashkëpunim me IMT Lezhë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 ekskavator dhe një sasi inertesh të përfituara në kundërshtim me ligjin. Vijon puna për kapjen e 58-vjeçarit. Monitorimi i territorit përreth lumit Mat, vijon. Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”.



