
Goditen nga shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, dy raste të kontrabandës së mallrave dhe një rast i mosdeklarimit të të hollave.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me autoritetet doganore, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e shërbimit cilësor për qytetarët në hyrje/dalje, janë goditur dy raste të kontrabandës së mallrave dhe një rast i mosdeklarimit të të hollave.
Për këto raste: është arrestuar në flagrancë shtetasja E. K., 26 vjeçe dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasen H. K., 24 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, pasi në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në valixhet e tyre, shërbimet e policisë kanë gjetur veshje për femra, të markave të ndryshme, që nuk ishin deklaruar në doganë, siç përcaktohet me ligj;
- është arrestuar në flagrancë shtetasja V. M., 61 vjeçe dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. B., 52 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, pasi në hyrje të RSh-së, në valixhet e tyre, shërbimet e policisë kanë gjetur veshje për femra, të markave të ndryshme, që nuk i kishin deklaruar në doganë, siç përcaktohet me ligj;
- janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin gjerman N. Z., 44 vjeç, pasi në dalje në RSh-së, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në çantë, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 30 000 euro që nuk i kishte deklaruar në doganë. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.



