
“Stojani” u kodua një operacion i policisë së Dibrës gjatë të cilit u sekuestrua 3.3 kilogramë kanabis dhe një armë gjahu.
Shërbimet e policisë kanë marrë informacion se në territorin e fshatit Stojan, disa persona kishin kultivuar bimë narkotike.
Mbi bazën e këtyre informacioneve është ushtruar kontroll i imtësishëm në territorin e fshatit Stojan, ku si rezultat i kontrollit nga forcat “Shqiponja”, si dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, është gjetur e paketuar sasia prej 3.3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, në forma boçeje.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se lënda narkotike e sekuestruar iu përkiste shtetasve N. T., 34 vjeç, N. K., 31 vjeç dhe N. C., 63 vjeç, të tre banues në Mat, të cilët janë shpallur në kërkim.
Në vijim të kontrolleve, në banesën e shtetasit N. C., është gjetur një armë gjahu e cila, së bashku me lëndën narkotike, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Aktualisht vijon puna intensive për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



