
Pas një viti nga nisja e Planit Kombëtar të Pastrimit, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka publikuar rezultatet e këtij angazhimi, me mbështetjen e Prefektëve, forcave të ushtrisë, bashkive përkatëse, institucioneve lokale dhe komunitetit.
Ky plan, sipas saj, ka dhënë rezultate të prekshme, me mbi 126 mijë ton mbetje të pastruara nga territori, 1 mijë e 891 hotspote të pastruara, përmes angazhimit të 58 mijë e 708 njerëzve në të gjitha bashkitë e 12 qarqeve.
Angazhimi në Planin Kombëtar të Pastrimit ka qenë maksimal me pjesëmarrjen jo vetëm të atyre që e kanë detyrë funksionale procesin e pastrimit por edhe të administratës dhe organizimit të shkollave, si forma më e mirë e edukimit për të kuptuar se ku shkojnë mbetjet tona dhe ç’i bëjmë natyrës me papërgjegjshmërinë tonë.
Kumbaro ka paralajmëruar se plani që nisi nëntorin e kaluar, do të vijojë edhe përgjatë vitit 2023.
Plani i Pastrimit Kombëtar ka si qëllim menaxhimin e integruar të mbetjeve, së bashku me miratimin e ligjit për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme.
Po ashtu edhe mbështetjen e katër bashkive bregdetare me dyfishim të forcave të pastrimit përgjatë sezonit si edhe rehabilitimin e shumë vend depozitimeve në territor që ishin shndërruar në gangrena mjedisore si në rastet e Skraparit, Gjirokastrës, Burrelit, Këlcyrës, Beratit, Devollit e disa qyteteve të tjera.



