
Pas disa ditësh përballje intensive me flakët në terren, mëngjesin e sotëm ka rifilluar operacioni ajror për shuarjen e zjarreve në zonat e Borshit, Piqerasit dhe Sasajt.
Në aksion janë angazhuar dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po ndërhyjnë mbi vatrat aktive të zjarrit.
Ministri Pirro Vëngu ka publikuar një video nga bordi i njërit prej helikopterëve, ku shfaqen pamje të qarta të përmasave të mëdha që kanë marrë flakët, duke djegur sipërfaqe të gjera në këto zona.
Zjarret, të favorizuara nga era e fortë, kanë përbërë një kërcënim serioz për banesat dhe bizneset lokale, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit.
Teksa zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura të stacionuara në Borsh siguruan perimetra mbrojtëse rreth banesave gjatë natës, Policia e Shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile ndihmuan në evakuimin e banorëve dhe pushuesve nga zonat më të rrezikuara, duke shoqëruar drejt sigurisë 40 persona.
Ndërkohë, zjarrfikësit e Himarës dhe forcat në terren vijojnë operacionin tokësor, në koordinim të plotë me ekuipazhet ajrore, për të eliminuar çdo vatër të mbetur dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.
Poashtu kryeministri Edi Rama ka bërë sot një reagim lidhur me situatën e zjarreve që kanë mbërthyer vendin. Në një postim në rrjetet e tij sociale, Rama ka postuar disa foto nga aksionet për shuarjen e zjarreve.
Kryeministri shprehet se çdo efektiv i Forcave të Armatosura dhe i Policisë së Shtetit meriton falënderim dhe respekt për punën që po bëjnë.
Në falënderim ai ka veçuar shefin e policisë së Delvinës, Agim Troci për të cilin thotë shpëtoi jetë duke rrezikuar të tijën. Më tej shprehet se forca të Urgjencës Kombëtare e të Emergjencave Civile, janë në gatishmëri në këtë kohë të vështirë zjarresh në gjithë Evropën Mesdhetare.



