“Ura” u kodua një operacion i policisë së Gjirokastrës, gjatë të cilit u sekuestruan 34 kilogramë kanabis sativa, duke vënë në pranga dy persona, të cilët e kishin fshehur lëndën narkotike tek shasia e makinës me qëllim për ta trafikuar në Greqi.
Në kuadër të operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Blerimas, Delvinë dhe E. S., 37 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë.
Të dy u kapën në flagrancë, tek ura e fshatit Kardhiq, duke transportuar me automjet tip “Hyundai”, 44 pako me lëndë të dyshuar kanabis sativa, me qëllim trafikimin në Greqi.
Pakot ishin fshehur në një hapësirë të improvizuar, te shasia e automjetit.
Lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Hyundai” dhe me katër celularë të të arrestuarve.
Policia e Gjirokastrës, në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetime për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë Gjirokastër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.



