
Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin e paraqitur nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i arrestuar për çështjen e inceneratorëve, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Apeli i GJKKO-së ka vendosur sekuestron mbi pasurinë e Kokës. Konkretisht edhe kjo Gjykatë e ka rrëzuar kërkesën e ish-ministri përsa i përket pasurisë së tij.
Gjithashtu Gjykata e Lartë më 4 prill ka rrëzuar edhe kërkesën e tij për heqjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, e dhënë nga GJKKO-ja.
Ndërkohë një ditë më parë Apeli i GJKKO ka caktuar datën e seancës gjyqësore për ankimimin e bërë nga ish ministri i Mjedisit Lefter Koka sa i takon masës së sigurisë “arrest në burg”.
Seanca do të mbahet në orën 11:00 të datës 17 maj dhe do të kryesohet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.
SPAK akuzon Kokën se ka përfituar ryshfet nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij.
Ndaj Kokës rëndojnë akuzat e” shpërdorimit të detyrës”, “pastrim të parave” dhe korrupsion”.
Kujtojmë që, përveç Kokës, më 31 mars u arrestua edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe funksionarë të tjerë.
Ndërkohë, në kërkim ndërkombëtar janë shpallur biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.



