
Një shtetas belg është arrestuar në flagrancë nga Policia e Shkodrës në pikën kufitare të Hanit të Hotit, pasi u kap duke tentuar të kalonte drogë për në Shqipëri drogë.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Hanin e Hotit, në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në Pikat e Kalimit Kufitar dhe në kufirin e gjelbër, kanë kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të detajuar një automjet tip furgon me të cilin dyshohej se mund të transportohej lëndë narkotike.
Pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në automjetin tip furgon është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit, shtetasin Mario Blomme, 40 vjeç, banues në Belgjikë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, automjeti dhe një aparat celular. Materialet do t’i referohen prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



