Policia identifikon dhe arreston autorin e dyshuar të zjarrvënies në fshatin Lekaj të Kavajës, pasi si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 250 pemë ulliri dhe pemë të ndryshme frutore.
Efektivët e policisë Kavajë, dje, pas marrjes së njoftimit për zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke me pemë në fshatin Lekaj, që rrezikonte edhe banesat e zonës, ndërhynë menjëherë në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, për fikjen e zjarrit.
Ndërkohë, grupi hetimor kreu të gjitha veprimet për zbardhjen e rastit. Nga këqyrja e zonës u konstatua se në oborrin e banesës së shtetasit N. U., kishte vatra zjarri, ndërsa në pjesën e pasme të kësaj banese, kishte një tjetër vatër zjarri që dyshohet se është përhapur duke shkaktuar djegien e një sipërfaqe toke me 250 pemë ulliri dhe pemë të ndryshme frutore.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasin N. U., banues në fshatin Lekaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.



