Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Rikthimi”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë një 33-vjeçar nga Lushnja, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike.
Në pranga ka rënë shtetasi Arnold Levendi, i cili sipas policisë ka precedentë të mëparshëm në fushën e narkotikëve.
Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, pas një hetimi njëmujor të kryer në koordinim me Prokurorinë e Fierit, me qëllim dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal.
Gjatë kontrollit fizik ndaj të dyshuarit u gjet një dozë lënde e dyshuar narkotike kokainë, ndërsa nga kontrolli në automjetin që ai drejtonte u sekuestruan edhe 23 gramë kokainë, të cilat dyshohet se ishin siguruar për t’u shitur.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale lëndën narkotike, automjetin dhe dy telefona celularë të të arrestuarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.



