
Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia e Vlorës, të akuzuar për vjedhjen e një banese ku jetonin dy gra të huaja.
Komisariati i Policisë Vlorë, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit A. T., 39 vjeç, dhe K. B., 41 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Dy të shpallurit në kërkim dyshohen se ditën, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në një banesë të marrë me qira nga dy shtetase të huaja, njëra kolumbiane dhe tjetra venezueliane, një shumë prej 500 euro, një aparat celular Samsung dhe një dokument udhëtimi.
Aktualisht vijon puna për kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjes.



