
Një shpërthim i fuqishëm, i pasuar nga një zjarr me përmasa të mëdha, është regjistruar pak minuta më parë në afërsi të Unazës Jugore në qytetin e Elbasanit.
Shpërthimi ka qenë mjaft i zhurmshëm dhe është dëgjuar në të gjithë zonën përreth, duke shkaktuar panik te banorët.
Menjëherë pas shpërthimit, flakë të shumta dhe një re e dendur tymi kanë mbuluar vendngjarjen, ndërsa intensiteti i zjarrit mbetet mjaft i lartë.
Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë forcat zjarrfikëse, shërbimet e Policisë dhe ambulancat, të cilat kanë nisur ndërhyrjen e menjëhershme për izolimin e flakëve dhe menaxhimin e situatës.
Deri më tani nuk ka një informacion zyrtar mbi shkakun e saktë të këtij zjarri apo nëse ka persona të lënduar nga shpërthimi.
Paraprakisht, dyshimet e para flasin për shpërthimin aksidental të një bomble gazi. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
