Policia e Tiranës ka njoftuar se ka goditur një grup të strukturuar kriminal, një grup prej katër anëtarësh që vijonte aktivitetin e tij kriminal në shitjen e armëve të zjarrit.
Sekuestrohen 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tufinë dhe në Fresk.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë tre muajve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është organizuar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe është finalizuar operacioni i koduar “Anëtarët”.
Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:
-Ilir Zyberi, 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;
- Artur Brahimaj, 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe për mashtrim;
Artur Rushiti, 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në Tufinë, shtetasit A. B dhe I. Z., në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk.
Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



